TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Në kuadër të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përdorimin e maskës, ministrja Ogerta Manastirliu, ka publikuar videomesazhin drejtuar qytetarëve nga botuesja e njohur Arlinda Dudaj.

Manastirliu thotë se përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet vetëm falë kujdesit individual dhe të përditshëm, duke respektuar disa rregulla të thjeshta. “Është koha për përgjegjësi individuale që jeta të triumfojë”, thotë ajo.

Dudaj ju drejton një lutje qytetarëve për ruajtjen e distancimit social dhe përdorimin e maskës në mënyrë që të ndalohen infektimet me COVID-19.

“Virusi është ende mes nesh, për ta mbajtur atë sa më larg dhe sidomos për të mbrojtur shëndetin e prindërve tanë lipset të bëhen disa gjëra shumë të thjeshta. E para është distancimi social dhe e dyta vendosja e një maske që të mbulojë hundën dhe gojën, në këtë mënyrë do të kemi mundësi të ulim numrin e infektimeve të reja që po na shqetësojnë të gjithëve”, u shpreh Dudaj në videomesazhin e saj drejtuar qytetarëve.

ATSH