ATSH-AFP/- Qeveria meksikane urdhëroi rifillimin gradual të aktiviteteve të caktuara ekonomike, duke argumentuar nevojën për t’u kthyer në normalitet, megjithëse pandemia e koronavirus të ri vazhdon të përparojë në vend.
“Sot do të nisin aktivitetet e prodhimit të lidhura me industrinë e automobilave, sektorin e minierave dhe të ndërtimit, si edhe të punëve publike”, njoftoi presidenti meksikan, Andrés Manuel Lopez Obrador, gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.
“Ne duhet të shkojmë drejt normales së re, sepse kjo është ajo që i duhet ekonomisë kombëtare dhe mirëqenies së popullit tonë. Ne duhet të normalizojmë gradualisht aktivitetet prodhuese, ekonomike, sociale dhe kulturore”, shtoi ai.
Kreu i shtetit njoftoi, gjithashtu, përgatitjen e protokolleve shëndetësore me qëllim rihapjen e sektorit të turizmit, një nga më të prekurit nga masat e kontrollit.
Meksika, e cila ka një popullsi prej 120 milionë banorësh, ka regjistruar deri më tani 90 664 raste infektimi dhe 9 930 vdekje nga COVID-19./ /ervo/