TIRANË, 4 korrik/ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përsëritur apelin për kujdes duke ruajtur distancimin fizik dhe përdorur maskën në çdo ambient të mbyllur, në kushtet e pandemisë.

Rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19 javët e fundit si dhe rritja e numrit të shtrimeve në spitale edhe nga moshat 30-40, ka bërë që ministria e Shëndetësisë të dalë në thirrje të njëpasnjeshme për kujdes.

Ministria e Shëndetësisë nxit bizneset dhe institucionet për aplikimin e punës alternative nga shtëpia, për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit ndërsa e cilëson përdorimin e maskës domosdoshmëri.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje secilit prej jush: tregoni kujdes me respektimin e rregullave. Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit”, u shpreh Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në komunikimin e së shtunës.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura. Ruani distancën fizike, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse në ambiente publike apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura. Suksesi do të varet nga sjellja individuale e çdo qytetari. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID.

ATSH