ATSH/ -Qëndrimi në izolim ka ndikuar në jetën e çdo njeriu, është ndryshuar rutina e jetës si dhe janë shkëputur marrëdhëniet sociale. Për psikologët rikthimi në normalitet do të mbartë medoemeos disa pasoja, pasi izolimi për një kohë kaq të gjatë dhe të në mënyrë kaq të befasishme sigurisht që ka ndikuar në shëndetin mendor.

Psikologia shqiptare në Kanada, Eni Feruli shpjegon disa nga rreziqet me të cilët mund të përballemi pas izolimit social.

“Është e vështirë që njeriu të ketë një përgatitje të së panjohurës, si në këtë rast është Covid-19.  Edhe pse situata të ngjashme pandemie kanë ndodhur vite më parë, ne si shoqëri jemi gjendur të papërgatitur nga e gjithë kjo”, shprehet ajo.

Ajo shton se, “Stresi është situata më e pakëndshme tek njeriu. Stresi shfaqet në nivele të ndryshme në varësi të individit, por që tek gjithsecili ndikon negativisht në emocione dhe në veprimtarinë tonë. Menaxhimi i stresit është shumë i domosdoshëm për të ruajtur një ekuilibër të të menduarit, sjelljeve, emocioneve të cilat ndikojnë në një mënyrë të drejtpërdrejtë tek psikologjia dhe shëndeti ynë.

“Në këtë situate që ndodhemi sugjerojmë të ndërtojmë një program të improvizuar sikur të jetë një veprimtari e përditshme. Është jo e lehtë sigurisht, por duhet të jemi të përgjegjshëm për shëndetin tonë. Një orar të kohës së zgjimit dhe gjumit. Një orar dhe kujdes në ushqyerje. Mënyra e gjumit dhe ushqyerja janë faktorët kryesorë që preken nga stresi në situate të tilla, të cilat shfaqin një rrezikshmëri dhe kërcënim somatik tek individi. Një aktivitet si disa ushtrime apo sipas kushteve të cilat jetojmë ecje, lojërave të ndryshme dhe bashkëbisedimeve si me pjesëtarët në familje, por edhe me rrjetet sociale”, thekson Feruli.

Ajo nënvizon se, “shmangia e lajmeve negative do ndihmonte në kapërcimin e stresit. Por kemi dhe individë, të cilët e kanë më të vështirë pranimin e situatave stresuese, të cilët ne sugjerojmë dhe kontaktin dhe këshillat online me ekspertë të fushës së shëndetit mendor”.

Në lidhje me sesi do të jetë Bota nesër, Feruli shton se, “do të përballemi me trauma psikologjike individuale dhe kolektive pa dyshim, e cila me kohë do të rikuperohet. Sa më e gjatë të jetë koha e izolimit, frikës dhe pasigurisë do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë tek stresi tek njeriu. Do të kemi dhe ndikime sociale ekonomike, por që do t’ua lejoja ekspertëve të fushës të flisnin më saktë për to”.

/gj.m/j.p/