ATSH/- Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka deklaroi sot në Kuvend se miratimi i ndryshimeve kushtetuese fuqizon zërin e qytetarëve.
Sipas Bushkës, hapja e listave i jep fuqi qytetarit për të zgjedhur drejt për drejt kandidatin e tyre, ndërsa krijimi i një dyshemeje, i jep mundësi partive politike të respektojnë standardin e përfaqësisë gjinore.
Bushka nënvizon se çështja e koalicioneve është një debat “shumë zhurmë për asgjë”.
“30 korriku do të mbahet mend ku në ligjin tonë themelor, në Kushtetutë sanksionohet fuqizimi i qytetarëve përmes listave të hapura. Kjo është kërkesë e qytetarëve shqiptarë. Prandaj ne sot e pranojmë me veprime konkrete duke miratuar ndryshimet përkatëse kushtetues që garanton përkthimin e votës së drejt për drejt me mandate përfaqësimi sipas vullnetit të qytetarit”,- tha Bushka.
“Nuk më vjen mirë që për shkak të një situatë atipike në vendin tonë, që dikton dialogun politik në nisma ligjore si kjo e sotmja, jo vetëm në Kuvend siç ndodh në çdo shtet demokratik, ku respektohen institucionet e shtetit, por edhe në të ashtuquajturën opozitë jashtëparlamentare, kemi harxhuar kohë dhe energji pa fund për të sqaruar aktorët politik jashtë kësaj salle, ku në qendër të vëmendjes është qytetari dhe jo politika”,- shtoi ajo. “Reforma zgjedhore dhe proceset zgjedhore bëhen nga aktorët politik, por i shërbejnë qytetarit, s’kanë këto procese vetëm përcaktimin e rregullave dhe procedurave të garës elektorale, por mbi të gjitha garancitë që vullneti i sovranit nuk deformohet me truqe apo kërkesa politike. Publiku duhet të ketë besim mbi proceset zgjedhore”,- theksoi Bushka.
“Nisma e sotme për ndryshime kushtetuese krijon kushtet për një përfaqësim sa më të mirë të preferencave të zgjedhësve në organet e zgjedhura përmes votës direkte për kandidatin, përveç asaj për partinë politike. Kushtetuta vendos një nivel poshtë së cilit nuk mund të shkohet, 2/3 e listës duhet të jetë patjetër e hapur. Ekspertët dhe modelet sugjerojnë që një pjesë e listës të mos jetë e hapur, për të garantuar përfaqësimin gjinor. Sistemet me lista të hapura janë përcaktuar nga standardet ndërkombëtare”.- nënvizon Bushka.
“Ne nuk po i shpikim në këtë Kuvend. Ne vendosëm dysheme 2/3 e listës duke dhënë mundësi që listat të hapen deri në 100% të tyre. Lidhur me qëndrimet politike brenda dhe jashtë kësaj salle na rezulton se kanë rënë dakord për këtë pikë, detajet e tjera do përcaktohen në Kodin Zgjedhor. Po në Kodin Zgjedhor pas votimeve të ndryshimeve kushtetuese sot, do jetë edhe çështja e pragut elektoral, si edhe sa i takon çështjes së debatit të koalicioneve, që mishërohet në shprehjen “shumë zhurmë për asgjë“, duhet të them se Kushtetuta nuk e ndalon shprehimisht se koalicionet parazgjedhore nuk do të jenë, por sistemi me lista të hapura, nuk i pranon formatet e koalicioneve sipas atyre që zbatohen sot”,- tha Bushka.
“Kushtetuta parashikon kriteret bazë, detajet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet kushtetuese, parashikon që kandidatët për deputetë nga partitë politike dhe nga zgjedhësit dhe aty nuk ka asnjë parashikim që ndalon koalicionet. Partitë politike mund të organizohen, për të regjistruar kandidatët e tyre me listë të kombinuar të kandidatëve ose të gjenden forma të tjera sipas modeleve të BE dhe më gjerë që kanë sistem të ngjashëm me tonin. Sistemet zgjedhore kanë në thelb disa kritere, ato të duhet të jenë të kuptueshme për qytetarët, të thjeshta dhe me sa më pak kosto”,- përfundoi Bushka.