TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Pas 1000 emrave të parë, bashkia e Tiranës ka publikuar edhe listën e re me 500 emrat e tjerë që përfitojnë pagesat kesh, shtëpitë e të cilëve pësuan dëme nga tërmeti dhe që mund të riparohen, të kategorisë DS1, DS2, DS3.

Këshilli Bashkiak miratoi listën me 3 mijë emrat e parë, ndërkohë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguroi se puna po vijon me intensitet për të përmbyllur plotësisht 10 mijë dosjet, duke miratuar çdo javë një listë me 3 mijë dosje.

“Sot janë 3 mijë familje të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 që marrin pagesat cash. Do të vazhdojmë kështu, nga 3 mijë në çdo mbledhje, që t’i afrohemi sa më shpejt shifrës së 10 mijë dosjeve, të gjitha nga tërmeti i nëntorit”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, ky proces u realizua në kohë rekord, duke bërë të mundur që familjet të kompensohen shumë shpejt nga fondi i Rindërtimit.

ATSH