ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se masat e ndërmarra nga qeveria lehtësuan mbi 50% të bizneseve në vend.

“Janë 49 mijë biznese që përfituan, pjesë e fashës nën 14 milionë lekë, dhe janë 25 mijë biznese që përfituan nga shtyrja e afatit të deklarimit të bilanceve”, tha Denaj, sot në Kuvend teksa paraqiti ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Ndryshimet tha ajo, përcaktojnë shtyrjen e afateve të parapagimit të kësteve të tatimit mbi fitimin për periudhën prill-dhjetor 2020, për call–center, fasoneritë dhe turizmin. Ndërsa bizneset e tjera vazhdojnë pagesën në tetor.

“Për bizneset me qarkullim deri në 14 milionë lekë këstet e tatimit mbi fitimin të vitit 2020 nuk do të paguhen. Për bizneset me qarkullim mbi 14 milionë lekë, këstet e tatimit mbi fitimin për bizneset me qarkullim mbi 14 milionë lekë për tremujorin e dytë dhe të tretë do të shtyhen për të njëjtën periudhë të vitit të ardhshëm. Përjashtohen nga shtyrja, bizneset që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e veprimtaris bankare, telekomunikacionet, tregtimit të produkteve farmaceutike, ushqimore dhe fruta -perimet. Këstet e tatimit mbi fitimin për periudhën tatimore prill-dhjetor 2020 për tatipaguesit që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit, fasonerisë dhe call center nuk do të parapaguajnë për 2020, por për të njëjtën periudhë deri në dhjetor në vitin 2021”, tha Denaj.

Po ashtu, informoi ajo, shtyhet afati i dorëzimit të deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2019 dhe pagimi i detyrimeve, nëse ka, bëhet jo më deri më 30 prill por 31 korrik 2020./a.gjonaj/j.p/