ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se, “programi i Partisë Socialiste për rritje të pagave dhe uljen e taksave është vazhdimi i filozofisë që ndjekur në tetë vite qeverisje”.
E ftuar në një studio televizive, Denaj tha se “asnjë nga masat nuk është një risi, pasi bëhet fjalë për politika që janë ndjekur në vijimësi”.
“Theksoj faktin që asnjë nga proceset që janë lançuar sot nuk janë risi. Janë në vijim të shumë politikave të cilat në 8 vitet e qeverisjes socialiste janë bërë fakt, si taksa progresive për shqiptarët me të ardhura më të ulta. Për 97 % të tyre ka një ulje të barrës fiskale”, tha ministrja.
Denaj theksoi se “PS ofron një alternativë me program ekonomik të qartë. Nga janari i ardhshëm 63 % e të punësuarve nuk do të taksohen për pagën deri në 40 mijë lekë. Po ashtu pagat do të vazhdojnë të rriten, pasi ekzistojnë mundësitë për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit. Vetëm për administratën ka pasur një rritje page me 46 %. Flasim për një pagë mesatare në administratën e shtetit, që fillonte me 58 mijë dhe sot jemi në 72 mijë dhe do të shkojmë në 88 mijë”.
Lidhur me masat për biznesin, Denaj tha se “bizneset e vogla nga 1 janari do ta kenë zero taksimin, ndërsa në fokus do të jetë dhe nxitja e digjitalizimit të shërbimeve”.
“Këto premtime realizohen nga të ardhurat që vijnë nga një punë e rëndësishme e mirëadministrimit fiskal dhe mbi të gjtiha nga rritja ekonomike e synuar dhe projektuar në vitet e ardhshme. Ne sapo rritëm pagat për mjekët e mësuesit, 40 % rritja e pagës për mjekët dhe 15 % për arsimtarët. Në mandatin e tretë do të jetë në të njëjtën frymë rritja sepse besojmë se janë të gjitha mundësitë për të realizuar më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit”, tha Denaj.
Denaj foli dhe për një nismë të re që synon kthimin e emigrantëve. “Kemi parë në 30 vitet e fundit vetëm një rrugëtim, i cili është një rrugëtim që nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, por gjithë Ballkani Perëndimor ka pasur të njëjtin rrugëtim. Ky është një moment i mirë për të realizuar një kthim mbrapa të të gjitha kapaciteteve, të atyre njerëzve që kanë punuar, arsimuar dhe jetuar jashtë dhe të kenë mundësi që të kthehen në Shqipëri, në një Shqipëri me infrastrukturë më të mirë dhe me mundësi për zhvillimin e ekonomisë së këtij vendi, duke filluar nga dhënia e një granti për çdo emigrant që vjen për të hapur një biznes dhe për të vijuar pastaj me skema të tjera nxitjesh”, deklaroi ministrja.
Denaj tha se “mandati i tretë është mandati i vijueshmërisë. Ne konfirmojmë se do të vijojmë me të njëjtën frymë dhe format që e kemi bërë realitet më parë. Rimëkëmbja ekonomike është një element shumë i rëndësishëm. Ky është një program gjithpërfshirës për të gjitha fushat”.
Si kandidate në qarkun e Vlorës për zgjedhjet e 25 prillit, Denaj tha se “qytetarët e Vlorës e prekin çdo ditë ndryshimin që ka ndodhur në atë qytet. Flasim për investime në infrastrukturë që janë sot një realitet që ka ndihmuar jo vetëm njerëzit, por edhe ekonominë, pasi vlera e shumë aseteve është rritur. Kjo ende pa vendosur në perspektivën e aeroportit të Vlorës, tunelin e Llogorasë, rrugën Kardhiq-Delvinë etj. Ne i kemi dhënë prioritet turzimit cilësor dhe infrastruktura është në funksion të kësaj”.
/j.p/r.e/