ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në bashkinë e Fierit, ku nis puna për Spitalin Rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar.
Kryeministri theksoi se Spitali Rajonal i Fierit do të administrohet e drejtohet në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq.

Rama tha se “ky spital, që do t’i shërbejë jo vetëm Fierit, do të jetë nga dita e parë pjesë e shërbimit tonë publik shëndetësor dhe natyrisht shërbimi do të jetë falas si në çdo spital publik të Shqipërisë”.

“Tani duhet urgjentisht të përcaktojmë një vend domethënës për Spitalin Rajonal të Fierit që do t’i shërbejë të gjithë jugut të Shqipërisë, por edhe të tjerëve. Do të jetë një pol tjetër i shërbimit shëndetësor. Nuk është vetëm ndërtim është edhe transferim teknologjie dhe dijeje, sepse për një periudhë kohe do të administrohet nga burimet njerëzore të sistemit shëndetësor të Republikës së Turqisë, pra menaxheri, shefi i burimeve njerëzore, shefat e pavioneve do të jenë të gjithë të sistemit shëndetësor të Republikës së Turqisë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “do të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve publike të Republikës të Shqipërisë”. “Do të shërbejë me të njëjtat standarde në aspektin financiar, nuk do të ketë asnjë ngarkesë për qytetarët. Do të jetë shërbim falas siç është në të gjithë spitalet sot publike dhe për një periudhë kohe do të bëhet në këtë formë deri kur të transferohet komplet nga pikëpamja e menaxhimit dhe drejtimit të pavioneve tek mjekët dhe administratorët tanë”, tha ai.

Rama tha se “burimet njerëzore do të administrohen nga vetë ata, me të njëjtin sistem”. “Do të rekrutohem mjekët, infermierët me të gjithë standardet e duhura. Do të shërbejë si një laborator i dijeve të transferuara, rritje kapacitetesh, eksperiencash dhe të gjitha me radhë dhe mbi të gjitha do të realizojë atë objektiv që kemi pasur prej kohësh që të kemi në zonën e Fierit një spital që i shërben popullit në të gjithë zonën e jugut dhe pastaj edhe të tjerë pa diskutim. Në vend që të ikin në Turqi ata që e kanë fiksim që duan të shkojnë në Turqi, të vijnë këtu dhe të kenë të njëjtin shërbim si të jenë në mes të Stambollit me  standard”, shtoi Rama.

Çështja është, vijoi ai , “që sfida është ky spital do të ndërtohet për 3 muaj”. “Duhet të përcaktojmë me urgjencë zonën. Zona duhet të jetë domethënëse, në anë të autostradës, jo larg nga autostrada. Duhet të ketë patjetër akses të plotë në infrastrukturë nga ana e ujit, energjisë etj, që s’është problem. Javën tjetër fillon puna. Vijnë të hënën njerëzit e ngarkuar për këtë punë për të bërë matjet. Projektin janë ndërkohë duke e bërë gati bazuar në të gjitha modulet që ata i kanë dhe i përdorin për veten e tyre dhe ne duhet t’i vëmë në shërbim gjithçka. Asnjë zvarritje, jo leja e ndërtimit, jo e kësaj, jo e asaj… Kjo punë duhet bërë sa hap e mbyll sytë. Duhet të ngresh këtu një skuadër me 3 veta që të merren vetëm me këtë punë. Nuk kanë punë ata të vijnë e të kërkojnë, jo na duhet kjo, jo ajo, jo merr atë të zjarrit, mjedisit.. Këto do t’i shërbejmë ne”, shtoi Rama.

Ai tha se “ministrja ka caktuar një person vetëm për Fierin dhe ne duhet ta bëjmë këtë punë me sukses”. “Po ta arrijnë ata, se është sfida e tyre nuk është sfida jonë për 3 muaj shkëlqyeshëm. Por edhe nëse ata nuk e arrijnë, të mos jetë për fajin tonë. Mos të thonë, na vonuat ju për këtë e nuk morëm atë. Ne duhet të jemi në rregull nga ana jonë, pastaj bëhet për 3 muaj, bëhet për 4 muaj, bëhet për 5 muaj është puna e tyre. Ata thonë e bëjmë për 3 muaj”, tha Rama.