ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “drejtësia amerikane konfirmon përfshirjen dhe fajësinë e Shkëlzen Berishës dhe përmes tij, të Sali Berishës në masakrën e Gërdecit”.
“Drejtësia vonon por nuk harron. Vendimi i gjykatës amerikane është detyrues për rihapjen e hetimit për krimin shtetëror në Gërdec. Një Gjykatë Apeli në SHBA ka rrëzuar përsëri pretendimet e Shkëlzen Berishës, duke u shprehur mbi faktet e përmbledhura në librin “Armët dhe Çunat” të Guy Lawson dhe ekranizimin “Qentë e Luftës”, të cilat akuzonin Shkëlzen Berishën si i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Shqiptarët e dinë se Shkëlzen Berisha u akuzua publikisht dhe u mor në pyetje në fshehtësi nga prokurorët për këtë çështje, për ngritjen e një magazine të paligjshme demontimi armësh, shpërthimi i të cilës shkaktoi krimin shtetëror të Gërdecit”, tha Balla.
Balla tha se “Prokuroria asokohe, e vendosur nën thundrën e Sali Berishës, edhe pse me prova, nuk guxoi t’i komunikojë akuzën”.
“Gjyqtarët amerikanë në vendimin e shpallur dje, kanë konfirmuar Vendimin e Gjykatës së Floridas, duke u shprehur se Shkëlzen Berisha nuk solli prova që rrëzojnë faktet e publikuara dhe “nuk solli argumente të bazuara përmes të cilave të mbërrinte në përfundimin e se gjykata e distriktit (Floridas) abuzoi duke mos i dhënë kohën e duhur për të sjellë provat’”, tha Balla.
Sipas tij, “ky vendim gjykate edhe pse i karakterit civil, përmban në brendësi indiciet për rihapjen e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës lidhur me përfshirjen e tij në atë tragjedi të rëndë”./m.m/j.p/