ATSH/ Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, shkëmbimet tregtare me anije nga porti i Durrësit janë realizuar me 44 porte në 18 vende të botës.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në periudhën janar-mars 2020 mallrat e import-eksporteve, që janë përpunuar në kalatat e portit më të madh të vendit kanë mbërritur apo janë nisur drejt 44 porteve të tjerë në kontinentet e Europës, Afrikës, Azisë dhe Amerikës.

10 porte në Turqi kanë pritur apo përcjellë mallra nga/drejt portit të Durrësit. Në vendin e dytë renditet Rusia me 7 porte gjithsej, ndërsa më tej Italia, Tunizia e SHBA me 3-6 porte.

Gjatë periudhës janar-mars 2020 në port kanë mbërritur 45 mijë tonë mallra nga portet e Houston dhe Lake Charles (SHBA).

Sipas APD-së, 50% e mallrave të import-eksportit që janë përpunuar në portin e Durrësit në këto tre muaj drejtohen/mbërrijnë vetëm drejt/nga portet e Rusisë, Turqisë dhe SHBA. /k.s/j.p/