ATSH/ -Dezinfektimi i institucioneve publike dhe jo vetëm, është mjaft i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e koronavirusit COVID-19.

Për këtë arsye shumë bashki të vendit po dezinfektojnë institucionet publike në qytetet e tyre, por edhe ambientet publike.

Bashkia e Durrësit ka vijuar dezinfektimin e shkollave publike  në kuadër të marrjes së masave parandaluese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Vijon dezinfektimi në shkollat e Durrësit që janë të hapura për maturat shtetërore. Ndërkohë janë dezinfektuar të gjitha kopshtet dhe çerdhet e bashkisë së Durrësit të cilat hapen në 1 qershor”, thuhet në njoftimin e bashkisë Durrës, e cila ka publikuar foto nga procesi i dezinfektimit.

“Procesi i dezinfektimit në të gjitha institucionet arsimore dhe ato parashkollore do të vazhdojë sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik i cili po zbatohet me rigorozitet”, bën të ditur bashkia e Durrësit.