Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi spitalin rajonal të Elbasanit, nga ku u shpreh se do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive dhe forcohet rrjeti i reanimacioneve në spitalet rajonale jo vetëm për t’iu përgjigjur situatës së shkaktuar nga COVID19, por edhe për përballimin e patologjive të tjera në spitale. Në spitalin rajonal të Elbasanit, nga  ku u dorëzuan pajisjet e reja jetëshpëtuese për shërbimin e reanimacionit, Manastirliu u shpreh se “të gjithë pajisjet që sot po dorëzohen në spitalin e Elbasanit jo vetëm fuqizojnë terapinë intensive, por edhe dyfishojnë flotën e pajisjeve të cilët ekzistonin më parë.

Ministrja deklaroi se po vijon puna për të rritur kapacitetet e testimit dhe ato diagnostike në këtë situatë të përballjes me COVID19. Duke siguruar marrjen e masave për mjetet e mbrojtjes personale për personelin mjekësor, Manastirliu kërkoi vigjilencë të shtuar në këtë situatë dhe vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve për përballimin jo vetëm të COVID19 por edhe të patologjive të tjera.

Me financimin e qeverisë shqiptare si dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian, njësitë e terapisë intensive po fuqizohen jo vetëm në spitalet universitare në Tiranë, por edhe në spitalet rajonale, me aparatura të teknologjisë së lartë për ofrimin e shërbimit cilësor, afër vendbanimit.