ATSH/ Gjatë muajit prill në platformën e-albania janë miratuar 2.8 milionë leje për dalje për qytetarët për kryerjen e shërbimeve të domosdoshme në kushtet e një izolimi me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.
Sipas statistikave të publikuara, platforma e-albania u vizitua 15.2 milionë herë. Ndërsa rezultojnë 141 mijë përdorues të rinj të regjistruar këtë muaj.
10 shërbimet më të përdorura të muajit në portal janë aplikimi për leje dalje me 2.8 milionë aplikime.
Në vendin e dytë është vërtetimi për pagesën e kontributeve për individin. Më pas renditet aplikimi për aktivitet ekonomik hapur, aplikimet për certifikatë familjare dhe leje qarkullimi për nevojat e subjekteve. I fundit në grupin e 10 shërbimeve më të përdorura është aplikimi për regjistrimin si punëkërkues i papunë.
Te shërbimet më të përdorura të muajit të Ministrisë së Jashtme dominon aplikimi për pasaportë dhe kartë identiteti mbi 33 mijë të tilla dhe aplikimi për leje kalimi me 5 mijë të tilla. Më pas vijnë aplikimi për asistencë të përgjithshme kurse shërbimi i fundit në 10 më të përdorurit është aplikimi për shtetasit shqiptarë të humbur./a.gjonaj/j.p/