Është ndarë nga jeta presidenti i Shtëpisë Botuese Albas, Latif Ajrullai, njëherësh partner i poetes Rita Petro.

Lajmin e hidhur e kanë bërë me dije miqtë e tij me anë të shkrimeve në rrjete sociale, ku shprehin ngushëllime për familjen.

Psikologia Denata Toçe ka bërë një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, ku tregon sesi është njohur me autorin, duke i dhënë kështu lamtumirën mikut të saj.

“Sot Ti nuk je më. Po aq papritur sikurse më erdhe në jetën time, po aq papritur ike. Në fakt vdekja te mori pabesisht! Do më mungojnë së tepërmi flokët e tua të gjata, të shkallëzuara, sapo preknin supet, si një takim i përditshëm me rininë tënde,” shkruan Toçe ndër të tjera.

E plotë:

Në një ditë me shi nëntori, ndërsa po kundroja librat në stendën e një prej shtëpive botuese në Panairin e Librit, ndjeva një dorë të madhe që më preku supin me shumë kujdes duke më thirrur në emër: Denata?

– Po, Denata jam!

– Dua të flasë me ju. Kam disa kohë që dua t’ju kërkojë një takim. Më duket një rastësi shumë e mirë që të ndesha këtu në panair.

Sapo u bëra gati të pyes se me kë kam ndërin të flasë, me thotë:

– Unë Jam Latif Ajrullai. Drejtojë shtëpinë botuese ALBAS

– Ah, sa mirë. Kam shumë vlerësim për shtëpinë tuaj botuese.

– Epo më mirë akoma. Ndoshta ju pëlqen ideja që dua të ndaj me ju. Në fakt kam unë nevojë për ndihmën tuaj.

Në stendën e ALBAS-it, midis shumë njerëzve që kërkonin librin e tyre, qëndronte përballë një kolegu shkrimtar, Rita Filipi, me kaçurrelat e saj të hijshme. Me dukej sikur e njihja prej kohësh dhe po takoja një njeri të njohur pasi mendjet tona u puqën njëherësh. Biseda atë paradite ishte aq e ngrohtë sa shiut i hipi nuri dimrit akoma më shumë, se e bëri orën që kaluam edhe më romantike, apo më mirë të them, poetike.

Pas 6 vitesh bashkëpunimi profesional, por mbi të gjitha miqësie të pashoqe, gëzonim çdo moment takimesh, duke vallëzuar mbi sfidat tona intelektuale, e duke ëndërruar për projektin e radhës, sikur të mos mjaftonin asnjëherë ato që tashmë ishin duke u bërë.

Sa shumë kemi qeshur, edhe me lot ndonjëherë, duke treguar barcoleta apo histori të vërteta që ndonjëherë jeta i kthen në përvoja shumë komike, sa edhe sot rri e qesh me vete. Në fund të çdo dreke dhe darke, isha unë që ankohesha për erën e rëndë të puros, që miku im Latif ndizte për shpirtin e tij, sikur donte t’i vinte vulën gëzimit që po ndante mes miqëve të mirë.

Sot Ti nuk je më. Po aq papritur sikurse më erdhe në jetën time, po aq papritur ike. Në fakt vdekja te mori pabesisht!

Do më mungojnë së tepërmi flokët e tua të gjata, të shkallëzuara, sapo preknin supet, si një takim i përditshëm me rininë tënde. Do më mungojë zëri yt sa herë që më thërrisje në emër, eleganca e humorit tënd, idetë e tua, vizioni yt, dhe ajo dreq puroje që më bënte nervoze, do më mungojë për një kohë shumë të gjatë.

Lamtumirë miku im, deri sa Zoti të na takojë sërish!

Për Latifin (Laton, sikurse e therriste Rita e tij)