ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi sot se programi i rindërtimit dhe investimet strategjike do të sjellin më shumë injektim në ekonomi.

E ftuar në një studio televizive, Ekonomi iu përgjigj interesimit lidhur me parashikimet e Bankës Botërore dhe FMN-së mbi ekonominë shqiptare.

“Pa dyshim që në diskutimet që bëhen, ata e kanë parasysh këtë situatë, rënien që po pëson ekonomia këtë vit, por kanë parasysh edhe injektimin që do t’i bëhet ekonomisë nga rindërtimi dhe sektori i energjisë”, tha Ekonomi.

Ekonomi theksoi se nga programi i rindërtimit sektori i ndërtimit do të ofrojë kontrata me shërbime të tjera hidraulike, elektrike etj dhe si rrjedhojë më shumë punësim në këtë sektor.

“Ky është plani i parë që do të ketë më shumë injektim në ekonomi. Plani i dytë ka të bëjë me projekte strategjike si linja hekurudhore Durrës-Tiranë-Aeroport, apo parku foltovoltaik në Karavasta që hedhin para në ekonomi”, tha Ekonomi.

Po ashtu, ajo theksoi se edhe çdo ministri ka planet e veta të zhvillimit, ku Ministria e Bujqësisë është në pararojë për injektimin e fondeve. “Ndërkohë, ka një ritëm të ri për sa i takon investimeve në shumë sektorë të ndryshëm dhe nga vetë kompanitë, gjë që pritet të sjellë gjenerim të ardhurash në ekonomi”, tha Ekonomi.

Lidhur me nivelin e borxhit, Ekonomi tha se “niveli i borxhit në zonën europiane është 86.6%, ndërsa në Shqipëri po shkon drejt 80%”. “Është lejuar tavani i sipërm i borxhit që të rritet dhe të shikohet ulja e tij nga viti 2021. Në këtë mënyrë, krijohet një frymë financiare e tillë që i jep mundësi vendeve të hidhen në investime publike që sigurojnë më shumë punë dhe të ardhura për familjet”, tha ajo.

Ekonomi komentoi edhe grevën e naftëtarëve, ndërsa theksoi se janë faktorë që ndikojnë te negociimi pasi kemi të bëjmë me kompani private dhe marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës i takon gjykatave për ta zgjidhur, pavarësisht se sektori është strategjik.

“Të gjithë morën pagesën e luftës edhe naftëtarët si individë u trajtuan me atë politikë në kushtet e pandemisë dhe ky është shembull se qeveria i ka në vëmendje. Ata kërkojnë pagat e prapambetura dhe për këtë duhet të ketë një zgjidhje. Ka nevojë për diskutim, por naftëtarët nuk e zgjidhin dot procesin vetëm me këtë lloj presioni. Ka nevojë për zgjidhje dhe zgjidhjet janë shumë komplekse në këtë moment”, tha Ekonomi.

E pyetur mbi planin e PD-së për përballimin e situatës së pandemisë, Ekonomi tha se “PD ka planin e vet me të cilin po bën fushatën dhe ka menduar këto 5 pika, ndërsa PS ka planin e vet ku vendos të gjitha projeksionet financiare, ekonomike, zhvillimore, të investimeve etj”.

“Ka shumë sektorë të ekonomisë që po fillojnë të gjenerojnë të ardhura, si ndërtimi, bujqësia apo tregtia. Politikat që ndoqi PS deri në vitin 2020 dëshmuan se fuqizuan familjen shqiptare e cila në vitin 2019 fitoi më shumë para dhe shpenzoi më shumë. Politikat e PS-së ulën pabarazinë mes të pasurve dhe të varfërve dhe sollën përmirësimin e jetës së familjeve. Viti 2020 është i jashtëzakonshëm sepse ka pandeminë që është kërcënim botëror. Qeveria shqiptare lëvizi me 2 paketa”, tha Ekonomi. /j.p/