Rastet e infektuar me koronavirus vazhdojnë të rriten me një ritëm të lartë në vendin tonë, ku pas Tiranës që është vatra kryesore, është përhapur gjerësisht në të gjithë Shqipërinë. Duket se rastet e konfirmuara pozitivë janë importuar të gjitha nga kryeqyteti, ku përjashtim nuk po bën as qyteti i Elbasanit, teksa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar dy raste të reja dhe sipas të gjitha të dhënave janë kontakte të rasteve të mëparshme.
Në total në Qarkun e Elbasanit janë aktiv me Covid-19 8 raste, dy i përkasin bashkisë së Belshit, ndërkohë që 6 raste të tjera janë në Bashkinë e Elbasanit. Prej afro një muaji qyteti dhe qarku i Elbasanit ka qenë i pastër sa i përket rasteve pozitivë me Covid, duke u kthyer shumë shpejt në një nga zonat e gjelbërta në vendin tonë, për shkak se nuk paraqisnin rrezik nga koronavirusi.
Mirëpo, fillimisht u infektua për herë të parë një qytetar nga Librazhdi, më pas dolën rastet e Elbasanit dhe Belshit, duke rikthyer sërish në këtë qark covidin. Megjithatë, situata nuk duket alarmante, sepse pas hapjes së vendit ishin të pritshme raste të reja në të gjithë Shqipërinë dhe Elbasani nuk mund të bënte përjashtim nga kjo gjë.
Sipas informacioneve, janë duke u gjurmuar kontaktet e personave të dyshuar me covid në qarkun e Elbasanit, në mënyrë që të parandalohet dhe evidentohet sa të mundet përjapja e mëtejshme e koronavirusit. Gjatë javës së fundit ka rezultuar rritje e numrit të rasteve të identifikuara pozitive, ka një rritje të të shtruarve në spital, por qëndrueshmëri sa i takon fataliteteve. Kjo rritje lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.