Një tjetër pacient nga Elbasani me Covid-19 e ka humbur betejën me këtë sëmundje në 24 orët e fundit, duke bërë në këtë mënyrë që numri i viktimave në qarkun e Elbasanit të shkoj në tre. Ndërkohë tre persona të tjerë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 në qytetin e Elbasanit, nga ku mësohet se përkasin stafit mjekësor të një qendre shëndetësore. Konkretisht rastet e infektuara janë një mjek dhe dy infermiere, duke e rritur numrin e personave pozitivë me koronavirus në radhët e bluzave të bardha në qytetin e Elbasanit.
Me shtimin e këtyre tre rasteve numri i të infektuarve aktiv në qarkun e Elbasanit shkon në 34, duke bërë që shifra të jetë gjithnjë e në rritje dhe të kthehet në fenomen shqetësues, sepse edhe shifrat e ditëve të fundit raportojnë për një shtim të rasteve pozitivë. Edhe pse ky qytet nuk ka arritur ende në shifrat alarmante si në disa qytete të tjera të vendit, siç është kryeqyteti me vatrën kryesore, rritja e ditëve të fundit mund të çojë në një skenar më të frikshëm. Për këtë arsye edhe Ministria e Shëndetësisë bën thirrje vazhdimisht për respektim të masave, pasi hapja e vendit duhet të sjellë një ndërgjegjësim më të madh nga ana e qytetarëve, gjë që për fat të keq nuk ka ndodhur. Kjo shihet edhe në qytetin e Elbasanit, me qytetarët që duket se i neglizhojnë këto masa, siç është përdorimi i maskës apo distancimi fizik.