Në këtë periudhë të vitit dhe aq më tepër në këto temperatura pranverore, pika turistike e Gjinarit duhej të ishte e mbushur plot me vizitorë që shijonin natyrën dhe gatimet tradicionale të zonës.
Por në këto ditë pandemie për shkak të COVID-19, kjo pikë turistike është e boshatisur. Rrugëve të fshatit qarkullojnë vetëm banorët e zonës, të cilët gjithashtu janë mësuar me praninë e vizitoreve dhe turistëve. Mungesa e këtyre të fundit duket se ka dëmtuar edhe bizneset e vogla familjare në këtë zonë, të cilët me produkte e tyre “bio” siguronin të ardhurat e jetesës.
“Nuk ka as lëvizje , asgjë, përveç banorëve të zonës. Pa vizitorë nuk ka asnjë aktivitet. Të paktën shisnim një qengj, disa vezë”, thonë banorët.
Por ndonëse në këtë situatë, banoret shprehen shpresëplotë se ditë më të mira do të vijnë dhe për këtë arsye nuk ngurrojnë që të kërkojnë investime për qendrën e Gjinarit.
“Emrin si pikë turistike e ka, por sa vlen. Të bëhet “Fusha e Kuqe” ashtu siç duhet, të jetojnë edhe banorët këtu”, thonë ata.
Por me sa duket jo çdo gjë është ndalur në Gjinarin turistik, i cili duket sikur po rigjenerohet pa vizitorët e tij të përhershëm. Cicërimat e zogjve dhe çelja e luleve dhe ajri i pastër vijojnë të shoqërojnë përditshmërinë e çdo qytetari.