ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë po përgatitet për emetimin e një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare financiare për herë të katërt në historinë e ekonomisë shqiptare, pas emetimit në vitin 2010, 2015 dhe 2018.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë prezantimit në Kuvend të p/ligjit për emetimin e këtij Eurobondi deklaroi se ai do të jetë me madhësi deri në 650 milionë euro dhe me maturim 7 deri 10 vite.

“Emetimi i këtij Eurobondi është planifikuar në muajt e fundit të vitit 2019, me përgatitjet paraprake teknike gjatë gjithë periudhës, edhe përtej situatës së pandemisë, duke synuar si periudhë më të përshtatshme daljeje muajin qershor të vitit 2020”, deklaroi Denaj.

Sipas saj, emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

“Financimi i siguruar nga Eurobondi, ritheksoj i planifikuar më parë do të shërbejë për të rifinancuar Eurobond-in e marrë në vitin 2015, një proces standard në tregjet financiare ndërkombëtare, për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020, si edhe të sigurojë pjesërisht valutën e nevojshme për shërbimin e detyrimeve të borxhit në valutë”, u shpreh ministrja Denaj.

Ministrja vuri në dukje më tej se në javën e kaluar Maqedonia e Veriut doli me Eurobond, i cili u vlerësua i suksesshëm, ku interesi i investitorëve ishte më tepër se katër herë në raport me vlerën e synuar.

“Maqedonia e Veriut mundësoi emetimin e Eurobonit të shtatë, me vlerën 700 milion Euro, me afat maturimi 6 -vjeçar dhe normë interesi 3.67%. Ky emetim na jep një sinjal që tregjet financiare kanë arritur një farë stabiliteti, pas luhatshmërisë së lartë të hasur pas përhapjes së COVID-19, dhe se jemi në një moment të përshtatshëm për të emetuar atë“, deklaroi Denaj.

Denaj bëri të ditur se kjo procedurë është ndjekur ngushtësisht edhe me Bankën e Shqipërisë, e cila ndër të tjera ka konfirmuar se emetimi i Eurobondit në vlerat dhe parametrat e shpallur nuk cënon politikën monetare të Shqipërisë, dhe ka efekt pozitiv në rezervat valutore dhe stabilitetin makroekonomik të vendit në afatin e shkurtër e të mesëm.

Kjo është hera e katërt që qeveria shqiptare del në tregjet ndërkombëtare financiare me Eurobond.

Afatet e maturimit ndër vite kanë qenë në 5-7 vite. Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo si për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve, por edhe për pasojë e normave të referencës gjithnjë në rënie gjatë viteve të fundit.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë Euro, maturim 5 vjeçar dhe interes 7.5%) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondi i dytë është emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë Euro dhe me një normë interesi 4.75%. Eurobondi i tretë i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë Euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5%. /a.gjonaj//a.a/