TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Edhe në Fier fëmijët janë rikthyer sot në çerdhe dhe kopshte, pas shkëputjes 3-mujore nga pandemia e COVID-19.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ndau sot pamje nga rinisja e aktivitetit në kopshte dhe çerdhe, ku po zbatohen protokollet e mbrojtjes së shëndetit.

“Me urimin për një javë sa më të mbarë në këtë rinisje të normalitetit të jetës në të gjithë vendin, një urim të veçantë edhe për fëmijët që sot do e festojnë 1 Qershorin jo më online, por pranë njëri tjetrit”, tha Subashi.

Kopshtet dhe çerdhet janë hapur me rregulla të forta sigurie, ndërsa duke filluar që në hyrje të tyre janë vendosur tabela dhe informacione për masat që janë marrë dhe duhet të marrin prindërit para se të hyjnë me fëmijët në institucion.

Ndërkohë të shoqëruar nga prindërit, fëmijët janë ulur në grupet e tyre të cilat kanë numër të reduktuar fëmijësh.

ATSH