TIRANË, 20 qershor/ATSH/-Të gjitha familjet që nuk kanë një apartament dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kreditë me kushtet e tregut, mund të përfitojnë nga kreditë e buta të ofruar nga bashkia e Tiranës.

Faza e parë e procesit ka startuar në të gjitha njësitë administrative, ku edhe të interesuarit kanë aplikuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale në bashkinë Tiranë ka lajmëruar datat për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të vijuar me fazën e dytë. Fituesit e fazës së parë kanë afat 30 ditë kohë për të dorëzuar dokumentet. Afati i fundit për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm është data 17 korrik.

“Të gjithë individët apo familjet e shpallura fituese të fazës së parë të programit Social të Strehimit “ Subvencionimi i interesave të kredisë” i financuar nga fondet e buxhetit të shtetit, kanë 30 ditë kohë për të plotësuar dhe dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, pranë zyrës së Pritjes me Qytetarin, pranë bashkisë Tiranë.

Afati për aplikim sipas kësaj thirrje, për fazën e dytë fillon me datën 18.06.2020 dhe përfundon në datën 17.07.2020”, informon bashkia e Tiranës. Kjo është thirrja e tretë për të përfituar nga kredia e butë ndërkohë aktualisht fazën e parë e kanë kaluar 2 mijë aplikantë ku përfitues do të jenë 1 mijë familje.

ATSH