BRUKSEL, 10 qershor /ATSH-AFP/ – Brukseli zbuloi sot masat e destinuara për të luftuar kundër dezinformimit lidhur me koronavirusin, duke iu kërkuar gjigantëve të internetit që të japin llogari dhe të denoncojnë fushatat nga Rusia dhe Kina.
Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, e ngarkuar për vlerat dhe transparencën, Vera Jourova, do të paraqesin në mesditë këtë plan, që promovon gjithashtu rolin e kontrolluesve të fakteve si dhe pluralizmin dhe pavarësinë e medieve.
Këto masa janë pjesë e “Planit të Veprimit për Demokracinë Europiane” dhe të “Aktit të Shërbimeve Digjitale”, që kanë për qëllim rregullimin më të mirë të gjigantëve të teknologjisë, që do të paraqiten deri në fund të vitit nga ekzekutivi europian.
Sipas tekstit BE do t’u kërkojë platformave (Facebook, Twitter, Google …) të publikojnë një raport mujor mbi veprimet që ata po zbatojnë për të luftuar dezinformimin e lidhur me COVID-19.
Platformave u është kërkuar të promovojnë informacionet nga agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare të shëndetit, autoritetet europiane ose vendet anëtare, si dhe nga mediet profesionale dhe të informojnë përdoruesit e tyre për manipulimet që ata zbulojnë dhe të veprojnë kundër reklamave të rreme.
Në vitin 2018, këta gjigantë të internetit u angazhuan në kuadër të “kodit të praktikës së mirë”, ndërmarrë nga ekzekutivi europian, për të vepruar kundër shpërndarjes së informacioneve të rremë./
ATSH