/ATSH/ – Pothuajse të gjithë pacientët me koronavirus në Nju Jork, të kishin nevojë për ventilatorë për të marrë frymë, vdiqën, shkruan Maggie Fox për rrjetin informativ amerikan, CNN.
Sipas një studimi, rreth 20% e pacientëve me Covid-19, të trajtuar në spitalin ”Northwell Health” vdiqën, ndërkohë që edhe 88% e atyre që ishin vendosur në ventilatorë humbën jetën.
Ventilatori është një pajisje që forcon ajrin në mushkëritë e pacientëve, të cilët nuk mund të marrin frymë për shkak të pneumonisë së rëndë që kanë.
Edhe shumë raportime kanë treguar që pacientët që kanë nevojë për ventilim nuk kanë gjasa të mbijetojnë.
Mjekja Safiya Richardson në Instituin ”Feinstein” për Kërkime Mjekësore, në ”Northwell Health” dhe kolegët e saj zbuluan se vetëm 12% e pacientëve në studim kishin nevojë për ventilatorë.
Ky studim, i botuar në ”Journal of the American Medical Association”, tregon se sa e keqe është perspektiva për pacientët me Covid-19.
Ekipi shqyrtoi të dhënat elektronike shëndetësore të 5 700 pacientëve me koronavirus të shtruar në ”Northwell Health”.
Rezultatet përfundimtare ishin të njohura për 2 634 prej tyre.
Të dhënat mbështesin atë që mjekët kishin thënë për koronavirusin, se shumica e njerëzve që sëmuren rëndë kanë një lloj të ashtuquajturës ”gjendje themelore”, ku më shumë se gjysma, ose 57%, kishin tension të lartë, 41% ishin obezë dhe 34% kishin diabet.
“Nga pacientët që vdiqën, ata me diabet kishin më shumë të ngjarë të kishin marrë ventilim mekanik invaziv ose kujdes në ICU krahasuar me ata që nuk kishin diabet”, shkruajnë studiuesit.
Ata konfirmuan gjithashtu se burrat kishin më shumë gjasa të vdisnin sesa gratë dhe askush nën moshën 18 vjeç nuk kishte vdekur.
Rreth një e treta e këtyre pacientëve kishin ethe, 17% po merrnin frymë shumë shpejt dhe vetëm nën 30% kishin nevojë për oksigjen shtesë.
Mesatarisht, pacientët dërgoheshin në shtëpi pas katër ditësh.
“Një studim më afatgjatë mund të gjejë nivele të ndryshme vdekshmërie”, shkruan në studim ekipi i ”Northwell Health”./ a.jor.