PARIS, 5 korrik /ATSH-AFP/ – Kriza nga COVID-19 po zgjeron pabarazitë tashmë shumë të mëdha në mbarë botën dhe në vendet e zhvilluara, theksojnë ekonomistët, drejtuesit politikë dhe kompanitë në takimet e Aix-en-Seine në Paris, pë të cilët reduktimi duhet të jetë një aksion i madh i botës.

“Epidemitë kanë tendencë ta ulin botën në krahun ku ajo përkulet. Ato janë në një farë mënyre një përshpejtues dhe zbulues i dobësive “, nënvizoi ekonomisti Pierre Dockes, profesor në Universitetin e Lyon 2, gjatë këtij takimi ekonomik që u mbajt këtë fundjavë.

Në fakt, që nga fillimi i pandemisë, mjekët dhe epidemiologët kanë zbuluar se koronavirusi prek më shumë personat që janë viktima të sëmundjeve kronike (mbipesha, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare), proporcionalisht më të pranishme në popullsitë e varfëra të vendeve të zhvilluara.

Dhe janë veçanërisht personat që kanë profesione më pak të kualifikuara që duhet të vazhdojnë të punojnë për të drejtuar biznese ushqimore, kompani të gjigandëve të tregtisë elektronike ose shërbimeve shëndetësore.

“Të gjithë këta njerëz që vazhduan të punojnë pavarësisht rreziqeve (…) janë njerëz të shtresave të ulëta” theksoi Mark Stabile, studiues në Insead, specialist për pabarazinë.

“Në vendet e zhvilluara, politikat shtrënguese pas krizës së vitit 2008 kanë ulur cilësinë e shërbimeve publike, për shembull në sektorin e shëndetësisë, dhe mbështetjen e njerëzve në nevojë, të papunë”, duke i bërë ato sot më i prekshëm”, shtoi ai.

“Është e qartë se do të ketë një rritje të pabarazive nga fakti i kësaj krize”, theksoi presidentja e Bankës Qendrore Europiane Christine Lagarde.

ATSH