SHKUP, 15 qershor /ATSH-MIA/ – Pas përfundimit të gjendjes së katërt të jashtëzakonshme dhe mosshpalljes së gjendjes së re, po mbarojnë afatet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që fillimisht ishin caktuar për më 12 prill, por që u shtynë për shkak të koronavirusit.

Gjendja e jashtëzakonshme përfundoi të shtunën në mesnatë, por drejtuesit e dy partive më të mëdha në vend, LSDM-së në pushtet dhe asaj opozitare VMRO-DPMNE nuk arritën një konsensus për datën e zgjedhjeve në takimin në vilën Vodno për zgjedhjet më 5 korrik.

Qeveria mbetet e vendosur për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik, ku sipas LSDM është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Partia më e madhe e opozitare, VMRO-DPMNE, nuk e pranon si datë 5 korrikun dhe kërkon zgjedhje nga mesi i muajit, duke argumentuar se do të marrë kohë për të vendosur.

OSBE dhe ODIHR njoftuan se do të dërgojnë një mision të veçantë në Republikën e Maqedonisë së Veriut me ftesë të qeverisë për të monitoruar zgjedhjet e 5 korrikut.

Ato kanë shpallur konkurs për punësimin e ekspertëve nga fusha të ndryshme për të monitoruar procesin zgjedhor.

Sipas një deklarate të postuar në faqet e tyre të internetit, vëzhguesit ndërkombëtarë priten në vend pas 19 qershorit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski në konferencën e djeshme për media tha se partia nuk do të shkojë në zgjedhje parlamentare nëse ato mbahen më 5 ose më 8 korrik dhe se data e parë e mundshme është mesi i korrikut.

Ai i bëri thirrje presidentit Stevo Pendarovski që ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme.

ATSH