BERLIN, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Gjermania dëshiron të ndërmjetësojë marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës gjatë presidencës së saj të ardhshme të Këshillit të Bashkimit Europian, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Pekinit, që ndodhen në një terren të paqëndrueshëm, morën një goditje të mëtejshme javën e kaluar kur presidenti Donald Trump njoftoi veprime kundër legjislacionit të sigurisë kombëtare që Kina ndërmori ndaj Hong Kongut.

“Në veçanti, ne europianët nuk mund të kemi interes që marrëdhëniet kino-amerikane të bëhen të papajtueshme”, theksoi Maas.

”Bota nuk duhet të ndahet në dy sfera interesi, një kineze dhe një amerikane’’, shtoi ai.

Maas tha se ”Gjermania do të përballet me sfida gjatë presidencës gjashtëmujore të BE”, që fillon më 1 korrik.

Maas bëri të ditur se një samit i pritur BE-Kinë në shtator do të vazhdojë sipas agjendës.

“Ka shumë tema të rëndësishme që duhet të diskutojmë me Kinën”, tha ai.

ATSH