BRUKSEL, 15 qershor /ATSH-DPA/ – Në Europë, pandemia e Covid-19 e ka kaluar kulmin, por zbritja e kurbës së epidemisë nuk duket të jetë e shpejtë.
”Nuk do të jetë një sprint, por një maratonë”, paralajmëroi Qendra Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Nëse në vendet europiane rreziku që lidhet me qarkullimin e virusit SarsCov2 është i moderuar dhe në disa raste i ulët, nuk është kështu në anën tjetër të Atlantikut, ku sidomos në Amerikën Latine vala e parë e pandemisë po arrin numra shumë të lartë për sa i përket rasteve dhe viktimave.
Kudo shpresohet për vaksinën, por për Organizatën Botërore të Shëndetësisë ”është e rëndësishme të mësohemi të jetojmë me virusin”.
Shefi i urgjencës i OBSH-së, Mike Ryan, thekson se “shpresojmë të gjejmë një vaksinë efektive, por nuk ka asnjë garanci se kjo do të ndodhë”.
”Si rezultat, qeveritë në të gjithë botën duhet të krijojnë një ekuilibër midis kontrollit të virusit dhe pasojave sociale dhe ekonomike të masave”, thekson ai.
Në Europë, kurba e epidemisë vazhdon të rritet vetëm në Poloni dhe Suedi, por ECDC paralajmëron se “një rritje e rasteve në vendet e tjera ka të ngjarë në javët e ardhshme”.
”Për fat të keq pandemia nuk ka mbaruar. Ndërsa vërejmë një prirje në rënie në Europë, përpjekjet e vazhdueshme janë ende të nevojshme për të kufizuar përhapjen e sëmundjes. Prandaj, ka ende një luftë të gjatë për t’u përballur, ku kontributi i të gjithëve mund të bëjë një ndryshim”, shton ECDC duke iu referuar masave parandaluese.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Amerikën Latine pandemia është përhapur shpejt, në Europë ka shpërthime të qarta të identifikueshme, të cilat sidoqoftë kërkojnë mbikëqyrje nga afër, veçanërisht në fillim të vjeshtës.
ATSH