NJU JORK, 17 qershor /ATSH-DPA/ – OKB do të përzgjedhë sot pesë vendet e lakmuara për në Këshillin e Sigurimit.
Vende të ndryshme kryejnë fushata të kushtueshme për të fituar një vend në këshillin me 15 anëtarë, i cili është i vetmi organ i OKB që miraton rezoluta të detyrueshme me ligj, siç janë vendosja e sanksioneve ose autorizimi i misioneve paqeruajtëse.
Këshilli ka pesë anëtare të përhershme me të drejtë vetoje që janë Rusia, SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Kina.
Pesë vende zgjidhen çdo vit për të marrë 10 vendet e mbetura për një mandat dyvjeçar, që shpërndahen në baza rajonale.
Këtë vit, ekzistojnë dy gara shumë të kontestuara: Kanadaja, Irlanda dhe Norvegjia po luftojnë për dy vende në grupin “Europa Perëndimore”, ndërsa Kenia dhe Xhibuti po garojnë për të përfaqësuar Afrikën.
India dhe Meksika garojnë për Azinë-Paqësorin dhe Amerikën Latine.
Zgjedhjet mbahen zakonisht në dhomën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, secilit prej 193 shteteve anëtare të OKB do t’i caktohet një listë elektronike për votim.
ATSH