Mes turmës në Teatrin Kombëtar ishte edhe 24-vjeçarja Kaif Jama, shkrimtarja dhe ylli i dy filmave, i horrorit “Hoos”, ku tregohet një grua e vetme që lëviz në një shtëpi të zbrazët, dhe një komedi jo aq romantike e quajtur “Date from Hell”.

“Kjo do të thotë diçka për të gjithë, përfshirë edhe mua. Kjo është për çdo somalez që dëshiron të bëjë filma”, theksoi Jama, e veshur me një fustan tradicional somalez me vija argjendi, të verdha dhe jeshile.

Ajo u largua nga Somalia në moshën gjashtë vjeçe dhe u zhvendos midis Kenias dhe Ugandës para se të vendosej në Kajro në moshën 19 -vjeçare.

Që atëherë, ajo ka bërë 60 filma të shkurtër në bashkëpunim me regjisorin somalez, Ibrahim CM.

”Somalezët kanë kaluar vite duke parë filma indianë dhe arabë në televizionet e tyre. Por, nëse filmat tanë arrijnë në teatro dhe TV, atëherë çdo person dhe fëmijë somalez do të formohet dhe ndikohen nga kultura e tyre”, shtoi ajo.

Teatri Kombëtar, një dhuratë nga lideri komunist kinez Mao Ce Dun, hapi dyert e tij në vitin 1967.

Ai u bë një vend i rëndësishëm për traditën e pasur narrative të Somalisë, duke pritur shfaqje teatrale, ekstravaganca muzikore dhe, në vitet 1980, festivale filmash panafrikane.

Pas përmbysjes së presidentit Siad Barre në 1991, kryekomandantët e klaneve shpërthyen në luftë me njëri-tjetrin dhe luftuan edhe për teatrin, të cilin e përdorën si bazë.

Ndërtesa u godit aq shumë sa çatia u shemb, një vit pas konfliktit.

Militantët islamikë që morën kontrollin në 2006 morën ndërtesën. Ata ndaluan të gjitha format e argëtimit publik, nga koncertet në ndeshjet e futbollit, të cilat ata i konsideruan mëkatare.

Paqeruajtësit e Bashkimit Afrikan rimorën kontrollin e kryeqytetit në vitin 2011 dhe qeveria e re somaleze e mbështetur nga Perëndimi rihapi selinë.

Por, vetëm tre javë më vonë, një sulmues kamikaz goditi gjatë një ceremonie, duke vrarë gjashtë persona. Ndërtesa u rihap në vitin 2020.

Hassan Abdulahi Mohamed, një banor i Mogadishos, kujtoi se kishte shpenzuar gjysmë shilingë somalezë për një biletë filmi dhe një shilingë për një shfaqje teatri në vitet ’60.

“Hera e fundit që kam parë filma në kinema ishte viti 1991’’, theksoi ai./  /os/