LONDËR, 24 qershor /ATSH-AFP/ – Profesionistët e shëndetësisë i kërkuan klasës politike britanike që të përgatisë Britaninë e Madhe për rrezikun e vërtetë të një valë të dytë të pandemisë, në ndërkohë që po afron një etapë e madhe e lehtësimit të masave kufizuese.

Pas njoftimit të kryeministrit, Boris Johnson për rihapjen në fillim të korrikut të pub-eve, restoranteve, parukerive, muzeve dhe kinemave të mbyllura që nga fundi i marsit, përfaqësuesit e botës mjekësore shkruan një letër të hapur në botimin e “British Medical Journal”.

“Megjithëse forma e pandemisë në Britaninë e Madhe është e vështirë të parashikohet, provat në dispozicion tregojnë se vatrat lokale janë gjithnjë e më të mundshme dhe se një valë e dytë përbën një rrezik të vërtetë”, shkruajnë nënshkruesit.

“Tashmë bëhet fjalë jo vetëm për çështjen e trajtimit të pasojave të rëndësishme të fazës së parë të pandemisë, por edhe të sigurimit që vendi është i përgatitur si duhet për të parandaluar një fazë të dytë”, shtojnë ata.

Nënshkruesit kërkojnë krijimin e një komisioni “konstruktiv” dhe “jo-partizan” që do të sillte një vlerësim nga gushti dhe në fund të tetorit e më tej. Ai duhet të përqendrohet në zonat e dobëta kur veprimi urgjent është i nevojshëm për të shmangur vdekjet e mëtejshme dhe për të rikthyer ekonominë sa më plotësisht dhe shpejt që të jetë e mundur.

Kjo thirrje erdhi pas njoftimit nga qeveria, e kritikuar për menaxhimin e pandemisë, të etapës më të rëndësishme të lehtësimit të masave kufizuese duke nisur nga 4 korriku.

ATSH