PARIS, 15 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti dje “fitoren e parë” kundër koronavirusit, që ka shkaktuar rreth 30 000 të vdekur në Francë.

Ai njoftoi masat e reja të lehtësimit të kufizimeve si rihapjen e plotë që prej ditës së sotme të kefeneve dhe restoranteve në rajonin parizian.

“Lufta kundër epidemisë nuk ka përfunduar, por jam i lumtur për këtë fitore të parë kundër COVID-19”, deklaroi Macron në një fjalim televiziv.

“Që prej të hënës, i gjithë territori, me përjashtim të Mayottes dhe Guyanes ku virusi qarkullon ende, (…) do të kalojë në zonë të gjelbër, gjë që do të mundësojë një rifillim më të ndjeshëm të punës dhe rihapjen e kafeneve dhe restoranteve në Ile-de-France”, theksoi Macron.

Presidenti francez njoftoi gjithashtu se shkollat dhe kolegjet do të bëhen “të detyrueshme” duke nisur nga 22 qershori, ndërkohë që deri tani pritja e nxënësve është bërë në bazë të vullnetit apo aftësive pritëse të shkollave të kufizuara nga një protokoll sanitar i rreptë.

Duke theksuar se 500 miliardë euro ishin shpenzuar për të përballuar krizën nga COVID-19, ai përjashtoi rritjen e taksave për të financuar shpenzimet në lidhje me krizën.

ATSH