PARIS, 20 qershor /ATSH-AFP/ – Kinematë dhe kazinotë në Francë do të rihapen të hënën, njoftoi qeveria duke shtuar se stadiumet do të presin sërish publikun duke nisur nga 11 korriku me 5 000 spektatorë maksimumi.

“Përmirësimi i situatës shëndetësore lidhur me pandeminë e COVID-19 mundëson heqjen e disa ndalimeve me kusht që secili të ruajë vigjilencën”, theksoi qeveria në një komunikatë.

Kampionati francez i futbollit 2019-2020 u ndërpre më 8 mars për shkak të pandemisë. Liga e futbollit profesional shpreson për një rifillim të sezonit të ardhshëm më 23 gusht.

Franca ka regjistruar 14 të vdekur si pasojë e COVID-19 në spitale gjatë 24 orëve të fundit duke e çuar numrin total të viktimave që prej fillimit të epidemisë në 29 617, sipas një bilanci zyrtar.

“Rihapja e diskotekave, panaireve, salloneve dhe lundrimeve ndërkombëtare mund të vendoset duke nisur nga shtatori nëse pandemia vazhdon të ulet”, shtoi qeveria.

ATSH