PARIS, 15 qershor /ATSH-AFP/ – Në Francë, “më e madhja e epidemisë së COVID-19 është pas nesh, deklaroi sot ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, për stacionin televiziv LCI, duke nënvizuar se lufta kundër koronavirusit nuk ka përfunduar.
“Virusi nuk ka përfunduar qarkullimin në territor dhe kjo nuk do të thotë se ne do të ndalemi përballë virusit”, theksoi Veran duke kujtuar se masat dhe kufizimet vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Ne vazhdojmë testimet dhe gjurmimin e rasteve dhe duhet të vazhdojmë të shmangim grumbullimet në vende të mbyllura”, theksoi ai duke kujtuar se ndalimet për grumbillet e më shumë se 10 personave dhe ngjarjet e mëdha me më shumë se 5 000 persona mbeten ende në fuqi.
Nëntë të vdekur janë regjistruar në spital këto 24 orët e fundit, shifra më e ulët që prej fillimit të bilanceve ditore në mes të muajit mars.
Në total, 29 407 persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në Francë.
ATSH