ATSH/ – Karim Benzema, sulmuesi i Francës dhe i “Real Madridit”, u shpall fajtor për shantazh seksual ndaj një futbollisti tjetër francez, sipas BBC.

Një gjykatës dënoi Benzema me një vit burg me kusht dhe e urdhëroi atë të paguante një gjobë prej 75 000 eurosh.

Benzema, 33 vjeç, ishte një nga pesë personat që u gjykuan muajin e kaluar për një përpjekje për të zhvatur francezin Mathieu Valbuena.

Skandali ka habitur komunitetin e futbollit në Francë dhe të dy lojtarët humbën vendet e tyre në kombëtare.

Rasti daton në qershor të vitit 2015, kur dy futbollistët ndodheshin në një kamp stërvitor francez.

“Në kamp, Benzema i bëri presion Valbuenës për të shlyer shantazhuesit, me të cilët kishte komplotuar për të vepruar si ndërmjetës”, thanë prokurorët.

Benzema gjithmonë i ka mohuar akuzat dhe ka këmbëngulur se ai vetëm sa po përpiqej të ndihmonte Valbuenën të hiqte qafe videon komprometuese.

Lojtari që atëherë është rikthyer në skuadrën franceze dhe pritet të luajë për Real Madrid të mërkurën mbrëma, kur ata do të luajnë me “FC Sheriff Tiraspol” në Champions League.
Benzema nuk ishte i pranishëm në gjykatën e Versajës për vendimin, as Valbuena që luan për klubin grek “Olympiakos”.

Edhe katër të pandehurit e tjerë u shpallën gjithashtu fajtorë.

Atyre iu dhanë dënime me burg që varionin nga 18 muaj me kusht deri në dy vjet e gjysmë burg.

Avokatët e Benzemas thanë se do të apelonin dënimin e tij./ /os/