TIRANË, 14 maj/ATSH/- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se kuadri ligjor për dy garancitë bankare është sot i plotë.

Sipas saj, garancia e parë bankare që është adresuar në mbështetje të biznesit për të krijuar likuiditet për pagesën e pagave po funksionon dhe bizneset mund të aplikojnë.

“Janë ndërkohë mbi 470 kërkesa të procesuara nga bankat për garancinë e parë”, tha Denaj.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se sot firmoset me bankat marrëveshja për garancinë e dytë bankare e cila mundëson likuiditet për sipërmarrjet që kanë nevojë si për kapital qarkullues edhe për aktive fikse.

Përtej paketës së ndihmës jemi duke punuar edhe për programin e rimëkëmbjes.

“Rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare do të burojë jo vetëm nga paketat e ndihmës apo programi i rimëkëmbjes por njëkohësisht edhe nga vijimi i reformave të qeverisë”, deklaroi Denaj./a.gjonaj/j.p/