ATSH/- Një prej përpjekjeve të bashkisë Lezhë për bregdetin e Shëngjinit këtë vit është reduktimi dhe parandalimi i mbetjeve që shkojnë në det. Ky projekt mbështetet nga Qeveria Gjermane, nëpërmjet GIZ. Për të realizuar procesin e ndarjes së mbetjeve në burim.

GIZ dhuroi 300 kosha plastikë për mbetjet për plazhin e Shëngjinit.

Gjatë aktivitetit të organizuar sot për këtë qëllim, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “sezoni i ri, një sezon me problematika të mëdha por të paktën do të mbahet mend si një sezon shumë i pastër në Lezhë, Shëngjin dhe në gjithë bregdetin e Shqipërisë.”

“300 koshat e rinj që vendosen sot në Shëngjin janë një përpjekje për të realizuar në fakt dy qëllime e para për të pasur një sistem grumbullimi dhe trajtimi të mbetjeve urbane  perfekt ku kërkohet shumë më tepër bashkëpunim i biznesit, komunitetit që të vendosin mbetjet në koshat e afruara ti vendosin sipas orareve të caktuara nga bashkia e Lezhës, pra jo gjatë gjithë ditës mund të trajtohen mbetjet por do të ketë disa rregulla strikte në këtë menaxhim dhe ajo që kërkohet shumë nga ky projekt i cili ka të bëjë shumë dhe me reduktimin e plastikës, me reduktimin e riciklimin e plastikës”, tha Klosi.

Sipas Klosit, ka ardhur koha që dhe te ne të ndahen mbetjet në burim, të trajtojmë mbetjet urbane, në mënyrë që ato nga problem për bregdetin dhe qytetet të kthehen në pasuri.

“Ne kemi shumë të nevojshme të kemi ndarje në burim, ne kemi  shumë të nevojshme të fillojmë logjikat e trajtimit të mbetjeve urbane , që nuk mund të jenë më një problem për qytetin, duhet të jenë një pasuri për qytetin. Prandaj bashkia e Lezhës është dhe në një projekt të gjatë përsa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane, menaxhimit si duhet të mbetjeve të plazhit dhe këto 300 kosha do të ofrohen për të realizuar ndarjen në burim, për realizuar ashtu siç duhet grumbullimin e mbetjeve urbane edhe për t’i dhënë Shëngjinit një situatë shumë më të pastër gjatë këtij sezoni turistik.”,- tha Klosi.

Projekti i GIZ nuk përfundon këtu, garantoi Hermann Plumm Menaxher i Programit për Menaxhimin e Mbetjeve GIZ.

“Po diskutojmë një ide për një qendër ku të mblidhet mbetje të ndryshme për t’u përdorur si burim për industrinë e riciklimit, ose për të tjera procese. Gjithashtu një aktivitet tjetër do të jetë nxitja e bizneseve që të reduktojnë ose të pakësojnë përdorimin e mbetjeve një përdorimëshe plastike. Me bashkinë Lezhë dhe Ministrinë e Mjedisit do të kemi disa iniciativa të cilat do të ndodhin në dy vitet që vijnë por që jemi duke punuar dhe duke detajuar këto aktivitete në vijimësi”, tha Hermann Plumm Menaxher i Programit për Menaxhimin e Mbetjeve GIZ.

“Jam këtu për një arsye shumë të mirë. Ky është një projekt për reduktimin e mbetjeve plastike dhe mënjanimin e tyre për të shkuar në det. Qeveria gjermane nëpërmjet GIZ është duke mbështetur me asistencë teknike Bashkinë për realizmin e një shërbimi më të mirë për reduktimin dhe parandalimin e mbetjeve që shkojnë në det. Projekti ka disa aktivitete dhe një prej tyre ishte një vizitë studimore në Gjermani dhe bashkia Lezhë ishte pjesëmarrëse dhe Kryetari vet.”,- shtoi Plumm Menaxher i Programit për Menaxhimin e Mbetjeve GIZ.

Kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se “dua të falenderoj Herman dhe GIZ-in Gjerman, cili në një bashkëpunim të afërt me bashkinë Lezhë ka bërë të mundur të kemi një situatë tjetër të koshave të mbeturinave. Edhe këtu dhe në shëtitore kemi dy modele bashkëkohore, bashkë me operatorët turistik jemi në një proces të ri formatimit të gjithë mënyrës se si do të menaxhohet situata e mbeturinave sivjet  sic e shikoni Shën Gjini është tjetër histori sivjet. Është krejt i pastër në çdo cep të tij. Ne kemi projekte te tjera me Herman, por dhe Ministrin, të cilët i falenderoj”. /a.a/