ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi se sot do të miratohet një gjobë për bizneset e mëdha, që tradhtojnë me papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë aplikimin për pagën e luftës, në emër të kompanisë për ta.

“Në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, më shkruajnë në Whatsap, drejtohen këtu (ku u lutem të jenë konkretë e të lënë të dhëna të sakta për biznesin ku kanë punuar, jo komente të përgjithshme), në Ministrinë e Financave ose tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e me plot të drejtë ankohen se punëdhënësi i tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikon për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende pagesën 40 mijë lekë”, tha Rama.

Ai theksoi se “bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish u kanë kthyer kurrizin”.

Kryeministri theksoi se “kjo është e patolerueshme”.

“Kush nuk do ta marrë mundimin të aplikojë tek tatimet, që punonjësit të marrin pagesën 40 mijë lekë, do të gjobitet për çdo punonjës që ka braktisur në këtë mënyrë të patolerueshme! Pikë e zezë! T’u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s’ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale”, tha Rama.

Ndërkohë, ai theksoi se “vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare dhe këtë javë nis lëvrimi i këstit të dytë të pagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish”.

Kryeministri theksoi se “po vijojmë të asistojmë rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për pagën e luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare”.

“Asnjë s’do mbetet pa marrë atë që i takon me ligj e me zakon”, siguroi Rama./m.m/ /a.g/