ATSH/ “Teatri i ri Kombëtar, do të jetë dinjitoz dhe me parametrat më të mira bashkëkohore, duke mos pasur më turp për t’i bërë ftesa regjisorëve të huaj, siç ndodhte rëndom më parë”.
Kështu shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, aktori Gerti Ferra, duke shtuar se më në fund erdhi dita për t’i dhënë fund asaj karakatine, që ishte quajtur Teatër Kombëtar.
“Më në fund kështu si e mendoj unë, erdhi dita t’i jepnim fund asaj karakatine të turpshme që ishte në mes të Tiranës e që quhej Teatri Kombëtar. Dhimbshmëri kam pa fund për atë godinë, pasi e kam prekur që në vegjëli, kam emocionet e mija në atë skenë. I sapodalë nga bankat e Akademisë së Arteve ushtrova profesionin tim në atë skenë, por që ishte në zgrip të çmendurisë për t’u quajtur një Teatër Kombëtar. Më vjen keq që nuk u mblodhën kurrë siç ishim të gjithë aktorët, regjisorët dhe t’i hidhnin një tufë lulesh, të recitonim një poezi, disa vargje të ndjera për t’u ndarë nga emocionet dhe kujtimet tona. Edhe unë u rrëqetha kur godina ra, por pas goditjes së parë, thashë erdhi dita e madhe që mezi e kam pritur”, – tha Ferra.
“Unë e kam parë projektin e Teatrit të ri Kombëtar. Jam një prej atyre që e pata fatin ta shikoja në gjenezën e tij. Jam i interesuar dhe kam informacione të mira, që teatri po ndërtohet me parametrat më të fundit bashkëkohorë dhe jam i mbushur me gaz dhe optimizëm se më në fund të do të jetë një teatër bashkëkohor dhe do bëhet me parametrat më të mira dhe më të fundit bashkëkohorë, ku më në fund Teatri Kombëtar do të jetë një teatër dinjitoz, ku nuk do na vijë turp se do vijë një regjisor i huaj se do shikonte ato mangësitë, se nuk ulej dot skenografia, ku aktori i binte qosheve të skenës me kokë, një mizerabilitet. Them që do ta realizojnë një teatër të tillë dhe është në interesin e tyre ta bëjnë me të tilla parametra dhe për këtë jam i lumtur”, – tha Ferra për ATSH.
“Ajo godinë e kishte ezauruar të gjithë funksionin e vet. Nuk do isha kurrsesi dakord që në atë vend të shenjtë të ruhej ajo karakatinë që do binte copa-copa një ditë. E kam jetuar vetë. Nuk do më vinte kurrsesi mirë të shkoja tek Bregu i Lumit për të parë Teatrin Kombëtar. S’kam asgjë me atë zonë, por si koncept. Për këta romantikët dhe këta që po ngrejnë zërin sot, lind pyetja ku jeni ju që flisnit dikur për kushtet më të mira të punës, për pagat… etj., dhe nuk merren me kauza të qenësishme si e përditshmja e artistëve”, – shtoi ai.
“Kësaj qeverie, asaj Ministre të Kulturës, këtij Kryetari Bashkie që është i vetmi që na ka marrë kokë më kokë duke marrë opinionet personale të gjithë aktorëve, nuk e ka bërë asnjë deri më sot, asnjë politikan nuk na ka pyetur secilin nga ne se si e mendon kauzën e Teatrit Kombëtar. Nuk është vetëm godina kauza, është dhe sistemi. Pra është më e gjerë se kaq situata. U bëj thirrje që mos u merrni vetëm me godinën, por merruni dhe me thelbin e së vërtetës, ua them me shpirt këtë gjë. Ka shumë njerëz nga ata aty që e thonë e gërthasin, por ju them, ka shumë gjëra personale që ju jeni mbase viktimë e kësaj kauze të madhe që po përdoret rëndom sot nga politika. Ne s’jemi pjesë e politikës, jemi pjesë e së vërtetës, se kështu është jetë e mot prej 4 mijë vitesh. Është feja e parë që njerëzimi njohu, që kur Aristoteli i madh bënte shfaqjet e tij në Amfiteatër. Dhe për këtë fe kaq të madhe, them të bëhemi dishepuj të së vërtetës dhe jo të shpërdorohemi në këtë formë”, – përfundoi Ferra për ATSH. /a.g//r.e/