Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres përsëriti sot angazhimin e OKB-së për çarmatimin “e plotë” bërthamor të Koresë së Veriut, bëri të ditur agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, priti shefin e OKB-së Guterresin, i cili ndodhet në një vizitë në Seul.

Guterres theksoi angazhimin e OKB-së për çarmatimin “e plotë, të pakthyeshëm dhe të demonstrueshëm bërthamor” të Koresë së Veriut dhe Gadishullit Korean.

Sekretari i Përgjithshëm Guterres tha se qëllimi themelor është të sjellë paqe, siguri dhe stabilitet në të gjithë rajonin.

Guterres dje gjithashtu u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Koresë se Jugut, Park Jin.

Park tha se komuniteti ndërkombëtar i udhëhequr nga OKB-ja duhet të dërgojë një mesazh “të fortë dhe të përbashkët”, se aspiratat e Koresë së Veriut për armë bërthamore nuk mund të tolerohen.

Park i bëri thirrje OKB-së për gjetjen e një zgjidhjeje efikase për çështjen bërthamore të Koresë së Veriut, ndërsa Guterres shprehu mbështetjen për përpjekjet paqeruajtëse të Koresë së Jugut në gadishull.

Dialogu për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean u bllokua pas takimit të fundit në Hanoi në vitin 2019.

Koreja e Veriut ka filluar testimin e raketave të reja këtë vit.

Ka gjithashtu informacione se Pheniani ka përfunduar përgatitjet për testin e saj të shtatë bërthamor.