ATSH-Maela Marini/ “Heqja e TVSH-së për jahtet krijon një cikël të ri ekonomik që nuk e kemi shfrytëzuar kurrë, pasi krijohen porte që gjenerojnë dhjetëra qindra vende pune, ndërmarrje shërbimi, njësi të trajtimit dhe ndërhyrjes për mirëmbajtjen dhe të gjitha këto krijojnë cikël ekonomik”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke folur për ligjin e ri për heqjen e TVSH-së për jahtet.

Sipas tij, “kjo krijon një politikë të re, një qasje së re për turizmin, e cila është e domosdoshme nëse duam që të kemi një turizëm konkurrues ma ata pranë nesh si Mali i Zi, Greqia, Italia”.

Balla tha se “Shqipëria nuk ka atë atraksion turistik si këto vende lidhur me përdorimin e mjeteve lundruese për qëllime turistike apo argëtimi”.

Ky ligj, sipas tij, “bën pjesë në paketën fiskale të vendit dhe është pikërisht dëshira jonë për të përfituar sa më shumë nga një zinxhir i plotë ekonomik që kjo krijon”.

“Nuk bëhet fjalë për qejf as për oligarkë, se ndonjë e lidh edhe anijen lundruese turistike me çështjet e oligarkëve. Në Shqipëri nuk ka oligarkë dhe nuk ekziston askush që të imponojë vendime të caktuara që merren në qeveri apo në parlament. Oligarkë janë ata që ndikojnë në vendimmarrje të caktuara politike. Këtu nuk ka”, tha Balla.

Po ashtu, Balla reagoi edhe pas gjithë zhurmës që është bërë këto ditë lidhur me një keqpërdorim të termit “legalizim të kanabisit”.

“Nuk ka legalizim të kanabisit në Shqipëri dhe sa të jemi ne nuk ka për të pasur kurrë legalizim të kanabisit. Por ajo që duam dhe prej një viti kemi hulumtuar të gjitha praktikat më të mira se si kjo kulturë bujqësore ka një rendiment të lartë dhe krijon një cikël të ri ekonomik nga dita e parë e mbjelljes së farës deri në ditën e fundit të kultivimit dhe përpunimit për arsye mjekësore. Të gjithë ata që u shqetësuan u them se shteti i Maqedonisë së Veriut përfiton të paktën 100 milionë euro në vit sot, ndërkohë i gjithë cikli i plotë ekonomik nga kjo kulturë bujqësore dhe ky përpunim i saj shkon deri në 500 milionë euro. Pse duhet t’i humbim ne këto? Pse duhet t’i humb ekonomia shqiptare këto?”, tha Balla. /j.p/