PRISHTINE, 20 qershor/ATSH/- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se zgjedhjet në veri të Mitrovicës, po mbahen me lejen e tij.
Shefi i ekzekutivit bëri të ditur se të njëjtat aranzhime që kanë ekzistuar më herët për këto lloj zgjedhje, po vazhdojnë edhe në qeverisjen e tij.
“Nga viti 2011-12 ka një aranzhim në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për organizimin dhe menaxhimin e mbledhjes së votave në Kosovë. Unë kam lejuar mbajtjen, të njëjtat aranzhime që kanë ekzistuar më herët për këto lloj zgjedhje edhe tash përmes OSBE”, deklaroi Hoti.
Sa i përket vizitës në Uashington, Hoti tha se në takim do të vihet theksi mbi bashkëpunimin ekonomikë në mes të dy shteteve.
“Fokusi siç është bërë i ditur nga zyrtarë të administratës Amerikane, do të jetë në bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve. Me ministrin e infrastrukturës dhe kabinetin qeveritarë, jemi duke i zhvillu ide tona, projekte madhore infrastrukturore që e ndryshojnë komplet peizazhin ekonomikë në Kosovë dhe në regjion. Janë disa projekte që unë besoj për një periudhë afat mesme do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomikë në nivel të regjionit”, tha Hoti.
Këto komente, kryeministri Hoti i bëri nga qyteti i Pejës, ku së bashku me kabinetin qeveritarë vizituan këtë komunë për të parë nga afër menaxhimin e pandemisë.
“Bashkë me kabinetin qeveritar erdhëm në Pejë për të diskutuar me kryetarin e komunës, për bashkërendimin e aktiviteteve për të luftuar strukturat për luftimin e pandemisë, si dhe për të ndarë opinionet tona se si duhet të jenë të përfshira komunat në fondin për rimëkëmbje ekonomike që është prej e buxhetit tani më prej 384 milionë euro. Pas kësaj do të vazhdojmë një ecje në bjeshkët e Rugovës si formë e promovimit të turizmit malorë”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, tha se kanë njoftuar kryeministrin për sfidat që po hasin gjatë pandemisë.
“ Patëm nderin me pas në vizitë kryeministrin e Kosovës, e njoftuam për gjendjen aktuale në komunën e Pejës, me sfidën e virusit korona, si dhe me problemet ekonomike që ka komuna e Pejës”, tha ai
Gjatë ditës, Hoti do të vizitojë edhe bjeshkët e Rugovës për promovimin e turizmit malor.
ATSH