ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj së bashku me ministren e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali dhe ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilluan mbledhjen e grupit ndërinstitucional të punës që do të hartojë Skemën e Garancisë Rinore, në përputhje me objektivat e qeverisë.
Ibrahimaj u shpreh sot me anë të një postimi se, “integrimi i të rinjve në tregun e punës është prioritet i yni”.
“Garancia Rinore është pjesë e iniciativës së Komisionit Evropian për zbatimin e skemave në dobi të të rinjve në Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2021-2027”, nënvizoi Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se, “Garancia Rinore do t’i dedikohet të rinjve të cilët janë të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilët brenda një periudhe 4-mujore duhet të marrin një ofertë punësimi/ trajnimi/ arsimimi/ mësimi profesioni në vendin e punës”.
“Pilotimi i skemës do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe në vitin 2023”, u shpreh Ibrahimaj.



























