ATSH/ Shqipëria po zgjeron çdo vit ofertën turistike përmes sipërmarrjeve që sjellin produkte, shërbime dhe eksperienca të reja, duke synuar standarde europiane dhe diversifikimin e turizmit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ndau sot shembullin e CREW SHOP, sipërmarrje që sjell në tregun shqiptar produktet e Jobe Watersports, një prej markave të njohura në fushën e sporteve ujore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj vlerësoi këtë iniciativë si një shembull që promovon sigurinë, cilësinë dhe një kulturë të re të sporteve ujore, duke i afruar më shumë qytetarët dhe vizitorët me detin.

“Sipërmarrjet që sjellin produkte, shërbime dhe eksperienca të reja me standarde europiane” kontribuojnë në pasurimin e ofertës turistike të Shqipërisë, theksoi ministrja.

Sipas saj, sportet ujore përfaqësojnë një mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit aktiv, diversifikimin e ofertës turistike dhe krijimin e më shumë vlere të shtuar për ekonominë shqiptare.

“Mbështetja e sipërmarrjeve që investojnë në inovacion, cilësi dhe modele të reja biznesi mbetet një prioritet për të ndërtuar një ekonomi më konkurruese dhe një Shqipëri me një ofertë turistike gjithnjë e më të pasur”, u shpreh Ibrahimaj.