TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se vendi po përballet me një inflacion të lartë, i ndikuar kryesisht nga invazioni rus në Ukrainë, ndërsa theksoi se qeveria do të forcojë sistemet sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë.

Gjatë fjalës së saj, në konferencën e 16-të vjetore të Bankës së Shqipërisë, të organizuar në bashkëpunim me shkollën e Londrës për Shkenca Ekonomike dhe Politike (LSE), ministrja theksoi nevojën e ndërmarrje së politika të kujdesshme, që nga njëra anë të adresojnë inflacionin dhe nga ana tjetër të mos cenojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike.

“Gjatë 3 viteve të fundit pësuam goditje të paprecedenta, tërmetin dhe pandeminë. Por rimëkëmbja e ekonomisë gjatë vitit 2021 ishte dukshëm më e fortë se ajo që pritej duke u materializuar në 8.5 %. Ne po përballemi me të tjera sfida ndoshta më të forta, si kriza energjetike që nisi në fund të vitit 2021 dhe agresioni rus në Ukrainë, në vitin 2022. Megjithatë ekonomia shqiptare e ka përballuar më së miri. Në 6-mujorin e parë, ekonomia u rrit me 4.2 % dhe kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët dhe komponentët e saj. Kjo sepse, ndonëse çmimet u rritën, ne menjëherë morëm politika për të amortizuar goditjet e menjëhershme në konsum dhe ecurinë e ekonomisë. Papunësia arriti në nivelet rreth 11 % dhe punësimi u rrit me 4.3 %”, tha ajo.

Sipas ministres, inflacioni edhe pse dukshëm më i ulët se vendet e rajonit dhe në Evropë, mbetet sfida më e madhe.

“Në 9 muajt e këtij viti mesatarja e inflacionit ishte 6.3 %, duke arritur pikun në shtator me 8.1 %. Një rol të rëndësishëm ka pasur edhe politika për mosndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të kishte ndikim direkt dhe indirekt. Mosndryshimi i çmimit të energjisë ka ndikuar në mbajtjen nën kontroll të rritjes së kostot së prodhimit në vend, duke ndikuar në pjesën e inflacionit që prodhohet në vend”, tha ajo.

Tjetër faktor, sipas ministres, ishte dhe dinamika e kursit të këmbimit të lekut ndaj euros.
Sipas saj, prej dekadash Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të kontrolluar të kursit të këmbimit. Element tjetër, tha ajo, është dinamika e flukseve hyrës dhe dalëse që reflekton performancën pozitive të ekonomisë.

“Ne synojmë rritjen e rezistencës dhe elasticitetit të ekonomisë shqiptare. Ne do të përforcojmë sistemet e mbrojtjes sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë, për të siguruar që kjo krizë do të ndikojë sa më pak në nivelin e jetës së atyre që nuk mund të përballojmë krizën. Ne do të synojmë të mbajmë të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike dhe po punojmë për diversifikimin e energjisë elektrike. Do të vijojmë të investojmë në rritjen e kapaciteteve digjitale. Do të forcojmë bazat duke ndërtuar korniza të besueshme fiskale që nxisin stabilitetin makroekonomik. Politika fiskale do të ketë objektiv kryesor konsolidimin fiskal”, tha ajo. /j.p/