Shkëmbimet tregtare për tetëmujorin janar-gusht të këtij viti, me vendet e BE-së zënë 59.7 % të gjithë tregtisë.

Sipas raportit të Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme në periudhën janar – gusht 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.2 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52.4 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 29.8 %, Turqia me 8.1 %, Greqia me 7.1 % dhe Gjermania me 6.3 %.

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia me 49.1 %, Kosova me 6 % dhe Gjermania me 75 % . Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është Spanja me 17.7 % .

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10,8 %), Turqia me 34.6 % dhe Greqia me 33.8 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA me 16.2 %, Rusia 18.1 % dhe Zvicra 13.7 % /j.p/Atsh