Në Shqipëri, veprimtaria e sektorit të ndërtimit, është shoqëruar në vijimësi me kritika në lidhje me sipërfaqet e ndërtuara pa leje dhe çështje të informalitetit.

 

 

Një vendim i fundit i qeverisë që synon frenimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, është pasuar me debate të shumta. Ky vendim sipas përfaqësuesve të opozitës dhe disa ekspertëve bie ndesh me një kuadër të tërë ligjor. Njohës të fushës thonë se mjaft zyrtarë i favorizojnë shoqëritë e ndërtimit në dëm të ligjit.

 

Në Shqipëri sektori i ndërtimit, është ndër kryesorët në ekonominë e vendit me një ndikim rreth 9% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Veprimtaria e tij është shoqëruar ndër vite me kritika për informalitet të lartë dhe qarkullim të kapitaleve financiare të dyshimta.

Ekspertë të fushës thonë se në këtë sektor ndërthuren interesa klienteliste, pas të cilave qëndrojnë zyrtarë që favorizojnë shoqëritë e ndërtimit në dëm të ligjit. Në fillim të shtatorit të këtij viti qeveria miratoi një vendim, që siç shprehet ajo, synon frenimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi.

 

Vendimi bazohet në ndryshimet që ju bënë në vitin 2020, Ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, i cili nga ana e tij, parashikon konfiskim të pjesshëm kur sipërfaqja e ndërtuar pa leje është mbi 2% të ndërtimit mbi tokë dhe konfiskim të plotë, kur kjo sipërfaqe është mbi 10%.

 

Ky vendim, i cili ka nxitur debate të shumta, përcakton edhe proçedurat për konfiskim për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, por për qëllim fitimi. Ndërsa ligji përcakton si masë konfiskimin, vendimi përfshin hyrjen në marrëdhënie financiare të autoriteteve me ata që kanë shkelur lejen, duke iu dhënë mundësinë ndërtuesve të parablejnë me çmim tregu, sipërfaqet e ndërtuara pa leje.

 

Njohës të fushës juridike thonë se ky akt i qeverisë bie ndesh me Kodin penal, si dhe me vetë Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.

Edhe përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar vendimin e qeverisë. Deputeti i PD-së Gazmend Bardhi i tha Zërit të Amerikës, se ndërsa qytetarë të zakonshëm janë dënuar me burg edhe për një dritare, një mur rrethues, apo çati, ky akt ligjor nuk i ndëshkon, por i merr në mbrojtje dhe i legalizon ndërtimet e paligjshme në godinat shumëkatëshe.

 

Për këto arsye 28 deputetë të opozitës i kanë kërkuar Gjykatën Kushtetuese, shfuqizimin e tij.

 

“VKM shkel barazinë para ligjit. Kur një qytetar i thjeshtë ndëshkohet më burg për një avlli, i njëjti standard duhet të zbatohet dhe ndaj ndërtuesve të sipërfaqeve pa leje në godina shumëkatëshe. Nga ana tjetër vetë Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit ka dhënë një proçedurë ezauruese, se si veprohet në raste të tilla. Çdo ndërtim i paligjshëm konfiskohet dhe kalon në pronësi të shtetit, dhe si çdo pasuri e shtetit, nëse duhet të shitet bëhet ankand. Qeveria e ka shmangur këtë dhe u jep mundësi ndërtuesve, ta legalizojnë kundrejt një tarife. Pra në pikpamjen ligjore VKM bie ndesh me kushtetutën, Kodin Penal dhe me Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”– u shpreh për Zërin e Amerikës Gazmend Bardhi.

 

Juristi Sokol Hazizaj veçon dhe një tjetër aspekt në vendimin e Këshillit të Ministrave, kur ndërtuesit i ofrohet parablerja e sipërfaqes së paligjshme. Në mënyrë të papreçedentë ky moment, sipas tij e vendos qeverinë në kuadrin e subjektit që bën biznes.

 

“Më thoni cili legjislacion europian e vendos shtetin në subjektin e biznesit? Vendimi i Këshillit të Ministrave e detyron ministrinë përkatëse, ende pa emër, të hyjë në marrëdhënie biznesi më prishësin e ligjit. Në themel ky format pengon organin e hetimit të vazhdojë proçesin për gjetjen e subjektit fajtor në raport më ligjin siç është kodi penal, dhe nga tjetër vetë Këshilli i Ministrave merr përsipër të bëjë biznes në kurriz të publikut”– vijoi juristi Sokol Hazizi.

 

Në lidhje me këto kritika Zëri i Amerikës ju drejtua Agjensisë për Media dhe Informim pranë kryeministrit.Por Bashkia e Tiranës, duket se është në pamundësi, përsa kohë, Këshilli Kombëtar i Territorit, i referohet vendimit të vjetër të qeverisë.

 

Ndërsa thotë se është në pritje të Bashkisë, në lidhje me akuzat e deputetit demokrat, shoqëria “Kastrati Group” u shpreh se “udhëhiqet nga ligjet dhe rregullat, në fuqi, dhe nuk preferon të bëhet pjesë e debateve të politikës”./VOA

 

Top Channel