Të gjithë e njohin si Irisi i Ilirisë ose Iris Illyrica, një lule e familjes botanike Iridaceae me vendlindje në tokat historike të Ilirisë së lashtë.
Irisi Ilir edhe sot e kësaj dite rritet në gjendje të egër dhe natyrale në të njëjtat pllaja si edhe mijëra vite më parë dhe provon trashëgiminë e famshme të të parëve të shqiptarëve.
Ilirët e lashtë e konsideronin Irisin një bimë mjekësore me vlera të shumta për një sërë problemesh shëndetësore përfshirë dhimbjet e kokës.
Bima e Irisit Ilir besohej gjithashtu të kishte aftësi të nxiste abortin. Pjesë të kësaj bime janë përdorur në lashtësi kundër djersës dhe në përgatitjen e parfumeve.
Bima rritet deri në 40 centimetra lartësi. Lulëzon nga maji në qershor dhe ka nevojë për dritën e diellit. Kërkon një tokë me lagështi mesatare, pjellore dhe të kulluar mirë. Kjo bimë prodhon fara shumë rrallë, zakonisht prodhon dhjetë fara që piqen në vjeshtë.
Bima e egër Ilire besohet të ketë qenë pikënisja e shumë varieteteve të kultivuara të Irisit që sot zbukurojnë kopshtet dhe hapësirat tona në verë dhe pranverë. Historianë të lashtë shpjegonin që Irisi më i mirë vjen nga Iliria e lashtë. Në Mesjetë, kultivuesit e kësaj bime kaluan përtej Adriatikut e rritën atë edhe në Itali.
Zona e Firences së lashtë kishte Irisin si simbol të saj- në mburojat e tyre ushtarët mbanin një Lili të bardhë ose Iris gjë që tregon se qyteti ishte i famshëm për rritjen e këtyre luleve të ardhura nga brigjet e përtej Adriatikut.
Bima në fjalë mban emrin e perëndeshës së ylberit “Irisit” dhe si rrjedhojë lulja ka një bukuri dhe ngjyra të pashoqe. Në lashtësi, Irisi ishte një simbol i fuqisë dhe madhështisë. Tre petalet e Irisit ishin simbole të besimit, zgjuarsisë dhe trimërisë.
Kultivimi i kësaj lule ka rezultuar në zbulimin e disa varieteteve të Irisit me reputacion të lartë për vlerat medicinale. Rrënjët e thata të Irisit përmbajnë një vaj esencial me aromë vjollce. Ato përdoren në parfume, pastë dhëmbësh dhe produkte të tjera kozmetike si dhe në krijimin e një potpurie erëzash me aromë të shumëfishtë.
Rrënja e thatë e Irisit ka veti anti-inflamatore dhe si rrjedhojë përdoret për të shëruar problemet me fytin dhe dhimbjet e kokës nga sinoziti.
Rrënja e thatë e Irisit përdoret për të ruajtur aromën në pudra dhe produkte kozmetike të bëra në shtëpi. Historikisht, njerëzit e kanë konsumuar rrënjën e thatë të Irisit në formë pluhuri ose si infusion nëpër tretësira. Por në kohët moderne, përdorimi i rrënjës së thatë të Irisit është tërësisht kozmetik.
Vaji i Irisit përdoret duke përdorur pluhurin e rrënjës së thatë të Irisit në avull. Ky vaj ka një aromë intensive dhe shumë delikate të vjollcës së freskët dhe kushton shumë shtrenjtë. Përdoret për përgatitjen e aromave më luksoze, por edhe parfumeve me bazë vjollce. Ekstraktet e Irisit kanë aftësinë të forcojnë aromën e elementëve të tjerë që përdoren në krijimin e një parfumi./AgroWeb