Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama iu kthye rastit të rëndë të ndodhur në spitalin Onkologjik në Tiranë me mjekët, duke thënë se ishte tregues që sistemi ka akoma nevojë për përmirësim.

 

 

Rama u shpreh se mjeku për të punuar në privat duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim, dhe se “sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”,

 

“Këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë “hajt se po nisem”. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës.

Ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse. Ishte një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e angazhimit. Dihet, e ka thënë një veteran i famshëm i BBC, lajm nuk është kur kafshon qeni njeriun, por njeriu qenin. Në rastin konkret, lajmi nuk është që këta mjek bën 90 mijë ndërhyrje në vit, mirëpo kur të del një rast si ai, ose i sanatoriumit, këto janë raste që godasin besimin te sistemi. Spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë në vitet e fundit, kanë kujtimet e së shkuarës. Kam dëgjuar edhe të huaj që kanë ardhur këtu që thoshin nuk e besojmë dot që Shqipëria ka një spital si ai i sëmundjeve të brendshme.

 

Nuk kërkohet llogari pse ndodh që del një derr, por llogaria duhet të sjellja ndaj problemit. Si reagon ndaj kësaj, aty bëhet dallimi, e justifikon apo e sheh në sy dhe thua ndjesë ky ishte një moment i keq dhe hajde e përmirësojmë”-u shpreh Rama.

 

Top Channel