ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania, në Tiranë, një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Italisë.

Skuadra e drejtuar nga tekniku Roberto Mançini mbërrin sot në vendin tonë. Të kaltrit stërvitjen e fundit e kanë kryer në mesditën e sotme në qendrën e grumbullimit të tyre në Coverciano.

Në orën 17:15, Italia do të fluturojë nga Firence në Tiranë e pas rreth dy orësh zbret në Aeroportin “Nënë Tereza”. Më pas të kaltrit do të bëjnë një shkelje të fushës së stadiumit ku do të luhet të mërkurën dhe më pas në ora 19:15, trajneri Roberto Mançini së bashku me kapitenin e Italisë, portierin Gianluigi Donaruma do të japin një konferencë për shtyp.

Kjo është sfida e katërt e Italisë ndaj Shqipërisë. Italianët kanë fituar tre herë, 1-0 në miqësoren e Xhenovas më 2014-ën me golin e Okakas dhe në kualifikueset e Kampionatit Botëror “Rusi 2018”, 2-0 në Palermo dhe 1-0 në “Loro Boriçi”, në vitin 2017.